Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Zhamë-Sektor. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur një këmbësore, e cila po tentonte të kalonte autostradën. Si pasojë e përplasjes ka mbetur e plagosur rëndë shtetasja Bajame Ramazani, 75 vjeçe, banuese në Zhamë-Sektor. Mësohet se e moshuara po kalonte autostradën për të shkuar drejt tokave të saj bujqësore, duke kaluar mbi trafikndarëse, rreth 50 metra larg një mbikalimi. Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar 75-vjeçares dëmtime të rënda. Ajo u transportua me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

