Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pas një aksidenti tragjik të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Farkë, ku një fëmijë rreth 1 vjeç e gjysmë ka humbur jetën.
Sipas policisë, Arbër Toçilla dyshohet se, gjatë kryerjes së një manovre me automjetin, konkretisht lëvizjes në drejtim të pasëm, ka përplasur aksidentalisht vajzën e mitur.
Pavarësisht ndërhyrjes, fëmija ka pësuar dëmtime të rënda dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e dinamikës së aksidentit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

