Dikur pjesë e rrethit të ngushtë të pushtetit socialist, sot në përplasje të forta me kryeministrin Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Erion Veliaj kanë dalë publikisht me pretendime për kërcënime dhe presion politik.
Dy ish-bashkëpunëtorët e rëndësishëm të kreut të qeverisë kanë vendosur në qendër të akuzave të tyre pikërisht kryeministrin. Deklaratat e tyre, ndonëse lidhen me rrethana të ndryshme, kanë një pikë të përbashkët: pretendimin se përplasja me Ramën është shoqëruar me presion dhe kërcënime.
Arben Ahmetaj: “Jam kërcënuar tre herë nga njerëz të panjohur”
I pari që foli publikisht për kërcënime ishte ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Në një intervistë për emisionin “Çim Peka LIVE”, më 1 shkurt 2024, ai deklaroi se ishte kërcënuar tri herë nga persona të panjohur, një herë përmes telefonit nga burgu dhe dy herë të tjera drejtpërdrejt.
“Jam kërcënuar tre herë nga njerëz të panjohur”, deklaroi Ahmetaj, duke treguar se kërcënimet kishin prekur edhe familjen e tij. Ai i cilësoi ato si të frymëzuara politikisht.
Në të njëjtën intervistë, Ahmetaj rrëfeu edhe një episod nga një mbledhje e Kryesisë së Partisë Socialiste, ku pretendoi se Rama kishte përdorur shprehjen: “Do të shkojë në të s'ëmës ai që prish unitetin e partisë”. Ish-zëvendëskryeministri e cilësoi këtë si kërcënimin e parë ndaj tij.
I pyetur nga gazetarët më 11 shkurt 2024 nëse e kishte kërcënuar Ahmetajn, Rama nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes. Ai deklaroi se Partia Socialiste nuk bënte komente mbi komentet e personave që kishin probleme me drejtësinë dhe se ekzekutivi duhej t'i jepte drejtësisë mundësinë të vepronte pa ndikim politik.
“Është detyra jonë që drejtësisë t’i japim të gjitha mundësitë të bëjë punën e vet e pashqetësuar nga pushteti ekzekutiv”, u shpreh Rama.
Më 21 mars 2024, i pyetur sërish në emisionin “Opinion” për akuzat e ish-bashkëpunëtorit, kryeministri zgjodhi të mos hynte në përballje me të, duke iu referuar faktit se Ahmetaj ishte në kërkim nga drejtësia.
“Unë nuk bëj komente për çështjet e drejtësisë. Imagjinoni të bëj koment për një njeri që është në kërkim nga drejtësia. Një njeriu në kërkim unë nuk i përgjigjem”, deklaroi Rama.
Erion Veliaj: Tri kërkesa dhe pretendimi për 100 vite burg
Rreth dy vite më vonë, një tjetër figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste, Erion Veliaj, ka bërë publike pretendime të ngjashme për presion nga kryeministri.
Në një letër të publikuar më 2 nëntor 2026, pas takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, Veliaj pretendoi se ky i fundit i kishte përcjellë tri kërkesa në emër të Ramës.
Sipas versionit të Veliajt, bëhej fjalë për pranimin e përfshirjes në organizimin e protestave qytetare dhe të studentëve, heqjen dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe ndërprerjen e këshillimit me avokatin mbrojtës Plarent Ndreca.
Në letër, Veliaj pretendon se në rast refuzimi do t'i rëndoheshin akuzat, duke përmendur edhe mundësinë e një dënimi deri në 100 vite burg. Ai shkruan se Rama kishte urdhëruar personalisht transferimin dhe izolimin e tij në burgun e Fierit, duke i lidhur këto veprime me tri kërkesat e pretenduara.
“Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për ‘prishje të rendit kushtetues’ nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302”, thuhet në letrën e publikuar nga Veliaj.
Në të njëjtin dokument, ai pretendon se i është kërkuar të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t'ia delegojë drejtimin Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohet më me Plarent Ndrecën.
Veliaj e shoqëroi publikimin me një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin, duke mohuar se kishte organizuar apo financuar protestat dhe duke e sfiduar të paraqiste prova.
“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkroi Veliaj, duke shtuar: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”
Toni Gogu: “Nuk ka asnjë shans që unë të shqiptoj këto mesazhe”
Por, ndryshe nga versioni i Veliajt, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, konfirmoi takimin në burgun e Fierit, por mohoi kategorikisht se kishte përcjellë mesazhe kërcënuese apo kërkesa në emër të kryeministrit.
Në reagimin e tij publik, Gogu tha se kishte shkuar në burg në ushtrim të përgjegjësive si ministër, për t'u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar ankesat e tij, të bëra publike përmes avokatit.
“Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë”, shkroi Gogu, duke mohuar se kishte shqiptuar mesazhet që i atribuoheshin.
“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, deklaroi ministri.
Gogu shtoi se rrethanat e vizitës ishin të dokumentuara dhe të verifikueshme. Kështu, takimi mes dy ish-miqve u kthye në një përplasje publike mes dy versioneve të kundërta: atij të Veliajt, që pretendon se iu përcollën ultimatume në emër të Ramës, dhe atij të ministrit, që mohon kategorikisht një gjë të tillë.
Dy ish-aleatë, një emër në qendër të akuzave
Rastet e Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt kanë disa ngjashmëri: të dy kanë qenë figura të rëndësishme të Partisë Socialiste, kanë pasur marrëdhënie të afërta politike me Edi Ramën dhe, pas përplasjeve me të, kanë dalë publikisht me pretendime për kërcënime ose presion.
Ahmetaj ka folur për kërcënime ndaj tij dhe familjes, të cilat i ka cilësuar si të motivuara politikisht. Veliaj, nga ana tjetër, ka publikuar një letër ku përshkruan një takim me ministrin e Drejtësisë dhe pretendon se atij iu përcollën kërkesa e ultimatume në emër të kryeministrit. Por, kur dy ish-bashkëpunëtorë të niveleve të larta të pushtetit dalin publikisht me akuza që përfshijnë të njëjtin kryeministër, lindin pikëpyetje që shkojnë përtej konflikteve personale.
A janë këto thjesht përplasje mes ish-aleatëve që tashmë ndodhen në anë të kundërta, apo kemi të bëjmë me një model presioni ndaj figurave që dikur ishin pjesë e rrethit të pushtetit dhe sot janë kthyer në kundërshtarë të tij?
Nëse pretendimet e tyre do të provoheshin, çështja do të merrte një dimension shumë më serioz se një konflikt brenda Partisë Socialiste, pasi do të ngriheshin pikëpyetje serioze mbi përdorimin e pushtetit nga Rama për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë./ Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

