Kur SPAK ka afat deri në 20 tetor për dosjen “Balluku”, prokurorët e posaçëm po intensifikojnë hetimet duke vijuar me thirrjen e zyrtarëve që kanë qenë vartës të ish-ministres dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Radha për t’u paraqitur në SPAK ishte e ish drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ergys Verdho dhe e Viola Haxhiademit ish-sekretares së përgjithshme e ministrisë së Infrastrukturës, gjithashtu ish-vartëse e Ballukut.
E ndërsa mbushet një vit nga regjistrimi i çështjes ndaj ish-funksionares që është marrë e pandehur për disa tendera, një burim pranë grupit hetimor tha për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, se lista e personave që janë marrë të pandehur nga SPAK është e gjatë, duke nisur nga Balluku, Evis Berberi, Gentian Gjylin, Genti Raca, Erald Elezi, Jonida Cece, Ardian Kroni, Denis Xhoxhi, Eduart Agalliu, Arbër Troka, Miranda Shkurta, Dhurata Lazaj, Nikollaq Mihali, Gëzim Noni, Arlinda Gordani, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, disa prej të cilëve për shkak të afateve po ju komunikohen akuzat.
Të tjerët vazhdojnë të jenë nën hetim, ku SPAK ka zgjeruar hetimet pasurore, duke sekuestruar dy vila të dyshuara se janë përftuar nga korrupsioni, se janë fshehur dhe nuk janë deklaruar dhe sipas skemës së zbardhur nga SPAK, dyshimet janë të jetë përdorur në skemë i dyshuari tjetër Igli Tare, biznesmeni Arbër Abazi, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe biznesmenë të tjerë.
Ndërsa Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të dyja sekuestrot e vilave të Belinda Ballukut, po vazhdon të marrë në pyetje të dyshuar të përfshirë në tendera, fituesit e të cilëve ka dyshime se u paracaktuan duke shkelur barazinë e tenderave.
SPAK nuk ka vendosur ende se kur do ta thërrasë ish zv-kryeministren, aktualisht deputete e parlamentit, ndaj të cilës rëndojnë disa akuza, që nisën fillimisht vetëm me një, atë të tenderave, dhe u shtuan për dyshimet e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Top Channel

