Rama-Pacolli Behgjet Pacolli i kërkon qeverisë të respektojë urdhrin e arbitrit dhe të rikthehet në dialog, ndërsa Ministria e Infrastrukturës pretendon se kërkesa kryesore e VIA-s është rrëzuar dhe se zgjidhja e kontratës së koncesionit ka hyrë në fuqi. Palët japin interpretime të kundërta për vendimin e 16 shtatorit. Vendimi i arbitrit të emergjencës në konfliktin për Aeroportin e Vlorës ka hapur një përplasje të drejtpërdrejtë mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Behgjet Pacollit, me të dyja palët që pretendojnë se urdhri i 16 shtatorit mbështet pozicionin e tyre.
Një ditë pasi MABCO, investitori dhe financuesi i projektit që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA, e paraqiti vendimin si një frenim të veprimeve të qeverisë ndaj koncesionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë doli me një interpretim krejt të kundërt.
MIE deklaron se arbitri i emergjencës ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe, mbi të gjitha, nuk ka pranuar kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës së koncesionit.
“Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen”, deklaron Ministria. Arbitrazhi i Londrës bllokon qeverinë për shtetëzimin e Aeroportit të Vlorës
16 Shtator, 23:01 Sipas versionit të MIE-së, arbitri nuk ka pezulluar as zgjidhjen e kontratës dhe as zbatimin e njoftimit për zgjidhjen e saj. Ministria pretendon se arbitri ka vlerësuar se kontrata dhe provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për një masë të tillë.
Për këtë arsye, qeveria arrin në përfundimin se zgjidhja e kontratës së koncesionit ka hyrë në fuqi.
“Më e rëndësishmja, Arbitri rrëzoi kërkesën kryesore të VIA-s për të pezulluar si zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit, ashtu edhe zbatimin e Njoftimit për Zgjidhje, sipas kushteve të gjerësisht jashtëkontraktore të kërkuara nga VIA. Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë. Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Por Behgjet Pacolli jep një tjetër lexim të urdhrit.
Në një apel publik drejtuar qeverisë shqiptare, Pacolli deklaron se MABCO iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar pasi qeveria mori në mënyrë të njëanshme vendimin për ndërprerjen e kontratës së koncesionit.
Sipas tij, urdhri i arbitrit të emergjencës i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës të mos ndërmarrë, gjatë kësaj faze, veprime lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojnë konfliktin ose të cenojnë procedurën.
“Më 16 shtator 2026, arbitra e emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar”, deklaroi Pacolli.
Ai i kërkoi qeverisë shqiptare të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të rikthehet në negociata.
“I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv. MABCO nuk ka synuar zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes arbitrazhit. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmangien e pengesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit”, shprehet Pacolli.
Por pikërisht për këtë pikë Ministria e Infrastrukturës thotë se arbitri i ka dhënë të drejtë qeverisë.
Sipas MIE-së, VIA kishte kërkuar që Ministria të detyrohej të merrte pjesë në ndërmjetësim, të caktonte një ndërmjetës dhe që nisja e arbitrazhit të shtyhej me dy muaj. Ministria thotë se të gjitha këto kërkesa janë rrëzuar.
“Arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit”, deklaron Ministria.
Pika ku dy versionet takohen është ekzistenca e një mase të përkohshme që kufizon disa prej veprimeve të qeverisë deri në ngritjen e tribunalit.
Por palët ndahen fort në interpretimin e rëndësisë së saj.
Pacolli e vendos theksin te detyrimi i qeverisë për t'u përmbajtur nga veprimet që mund të përkeqësojnë mosmarrëveshjen. MIE, në anën tjetër, këmbëngul se masa nuk e pezullon zgjidhjen e kontratës.
“I vetmi lehtësim i dhënë ishte një masë e përkohshme afatshkurtër. Arbitri i Emergjencës urdhëroi MIE që, përkohësisht, të mos ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Arbitri theksoi se masa është afatshkurtër dhe do të mbetet në fuqi vetëm derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen. Masa afatshkurtër nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit”, deklaron MIE.
Sipas rregullave të ICC-së, arbitri i emergjencës përdoret pikërisht për masa urgjente që nuk mund të presin konstituimin e tribunalit të arbitrazhit. Urdhri i kësaj faze është i detyrueshëm për palët, por nuk e lidh tribunali përfundimtar, i cili mund ta ndryshojë, përfjë ose anulojë atë.
Ministria pretendon gjithashtu se arbitri ka urdhëruar VIA-n të përballojë shpenzimet e procedurës së emergjencës dhe e paraqet këtë si një tjetër element në mbështetje të versionit të saj se kërkesat kryesore të koncesionarit nuk u pranuan.
“Vendimi përfaqëson, pra, një dështim të qartë të VIA-s për të siguruar vendimin që përbënte thelbin e kërkesës së saj. VIA kërkoi të pengonte hyrjen në fuqi të zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit dhe të vononte fillimin e arbitrazhit nëpërmjet një procesi të zgjatur ndërmjetësimi. Nuk arriti asnjërën prej tyre”, thuhet në deklaratën e MIE-së.
Pacolli, ndërkohë, këmbëngul se objektivi i kompanisë së tij mbetet përfundimi i Aeroportit të Vlorës dhe jo një betejë e gjatë juridike me shtetin shqiptar.
“Propozimi ynë mbetet i qartë: të na mundësohet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në funksion. Në këtë fazë, kërkojmë që në VIA të kthehet legjitimiteti, puna dhe investimi ynë të respektohen dhe që procesi i përfundimit të aeroportit të vijojë”, deklaroi ai.
Pacolli e mbylli apelin duke i kërkuar edhe një herë qeverisë një marrëveshje jashtë konfliktit të arbitrazhit.
“I bëj thirrje Qeverisë edhe një herë të zgjedhë dialogun dhe një zgjidhje të dakordësuar. Përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore”, deklaroi Pacolli.
Ministria, nga ana tjetër, njoftoi se do ta informojë VIA-n se, sipas interpretimit të saj të urdhrit, zgjidhja e kontratës së koncesionit ka hyrë në fuqi dhe se do të përgatisë hapat e mëtejshëm, duke respektuar masën e përkohshme të vendosur nga arbitri.
Përplasja juridike për Aeroportin e Vlorës, megjithatë, nuk është zgjidhur me urdhrin e 16 shtatorit. Ai i përket fazës së emergjencës, ndërsa mosmarrëveshja kalon tashmë te tribunali i arbitrazhit, i cili do të ketë në dorë shqyrtimin e konfliktit mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit. /Pamfletipacolli rama Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Alarm për karburantet në Evropë, sulmi ndaj tubacionit saudit trondit tregun; priten rritje çmimesh për produktet ushqimore 17 Shtator 2026, 13:1413:14Ekonomi Tarifa e re për krijimin e rezervës së sigurisë, rrezikon të rrisë çmimet e naftës! 17 Shtator 2026, 07:2907:29Ekonomi Euro humbet sërish pikë, mësoni me sa shiten e blihen monedhat e huaja sot 17 Shtator 2026, 07:2907:29Ekonomi Çmimi i naftës, qeveria Rama rikthen Bordin e Transparencës 16 Shtator 2026, 12:4212:42Ekonomi Euro në pikë kritike, mësoni me sa këmbehen monedhat e huaja sot 16 Shtator 2026, 07:1907:19Ekonomi Po vjen kriza e re e naftës? Sinjalet që po alarmojnë tregjet globale 16 Shtator 2026, 07:1707:17Ekonomi

