“Të dashur udhëtarë, sapo jemi duke u ulur në aeroportin Malpensa Silvio Berlusconi të Milanos”. Ndoshta ndonjë pilot e ka bërë tashmë këtë njoftim. Por pas ngjarjes së sotme, më 25 shtator, në Terminalin 1, pra pas emërtimit të aeroportit Malpensa me emrin Silvio Berlusconi, do të bëhet e natyrshme që aeroporti të lidhet me figurën e ish-kryeministrit italian. Për udhëtarët ka fare pak ndryshim. Kodi IATA mbetet i pandryshuar: “MPX”. Edhe për sa u përket sinjalistikës rrugore, për momentin nuk parashikohen ndryshime në tabelat për ata që udhëtojnë me makinë drejt aeroportit. LEXO edhe...Itali/ Kufizimi i nxënësve të huaj në klasa, kryebashkiakja e Pieve di Cadore: Erdha nga Shqipëria kur isha në klasë të katërt, vitin tjetër ndihmoja shokët Në Terminalin 1 u vendos një pllakë përkujtimore, në prani të presidentit të Senatit, Ignazio La Russa, ministrave Matteo Salvini dhe Antonio Tajani. Me ta ishte edhe presidenti i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana. “Fakti që aeroporti Milano-Malpensa Silvio Berlusconi do të mirëpresë çdo ditë mijëra udhëtarë nga e gjithë bota më mbush me krenari dhe emocion. Çfarë emri më të mirë mund të kishte një urë e tillë, nëse jo ai i Silvio Berlusconit?”, tha Marina Berlusconi në ditën e kushtimit të emrit ish-kryeministrit, duke kujtuar se ai ishte “një njeri që gjithmonë kërkonte dialogun me të gjithë”. “Babai im e kaloi jetën duke parë përpara dhe larg”, shtoi ajo. “Më pëlqen të mendoj se, që nga sot, emri i tij do t’u japë mirëseardhjen atyre që vijnë nga vende të tjera dhe do t’i shoqërojë ata që nisen drejt destinacioneve të reja”. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe vëllai i ish-kryeministrit, Paolo Berlusconi: “Në emër të familjes sime dhe të nipërve të mi, ju falënderoj nga zemra për këtë vlerësim dhe domethënie prestigjioze. Një vlerësim që e lidh përgjithmonë emrin e Silvio Berlusconit me qytetin e tij të dashur, Milanon. “Atdheu ynë është Italia”, thoshte ai shpesh, “por e ardhmja jonë është Europa”. Atëherë, çfarë kontributi më të mirë për kujtimin e Silvios mund të kishte sesa t’i jepej emri i tij portës së hyrjes drejt Europës dhe botës, të cilën përfaqëson ky aeroport? Sot Silvio nuk është më me ne, por është më i gjallë se kurrë. Ai jeton në realizimet e tij urbanistike, në sipërmarrjet sportive, në kompanitë botuese dhe televizive, në trashëgiminë politike, në rrjetet sociale, në kujtimet dhe zemrat tona. Sot ai është i pranishëm edhe këtu, në këtë aeroport të rëndësishëm milanez, të cilit kanë dashur t’i vendosin emrin Silvio Berlusconi”. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve, Matteo Salvini, shprehu “një keqardhje të vogël për ata që munguan”, duke iu referuar kryetarit të Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, i cili nuk mori pjesë në ceremoninë e emërtimit. Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, iu përgjigj Salvin-it, duke theksuar se kishte “luftuar kundër këtij vendimi”. Pikërisht për këtë arsye ai mungoi në ceremoninë e inaugurimit: “Çfarë duhej të bëja? Të isha i pranishëm, me një buzëqeshje të shtirur? Apo të isha i pranishëm dhe të përsërisja rezervat e mia? Jam një njeri koherent dhe përpiqem ta kujtoj këtë çdo ditë. Theksoj se, në të njëjtën kohë, isha në Inveruno, me brezin e kryetarit të Bashkisë Metropolitane, për të inauguruar një shesh kushtuar Piersanti Mattarella-s. Preferova të isha atje”. P.J/ReportTv.al itali milano milano malpensa silvio berlusconi Marina Berlusconi Komento Komente Sondazhi i ditës: Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika? Po 46.4% Jo 42% Disi 11.6% Vota total: 3936 Sondazhi i ditës: Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?

