Lajme Zone
“Absolutisht i papranueshëm”/ Republika Çeke dhe Hungaria refuzojnë propozimin e ri për buxhetin e BE-së për buxhetin
BotëBalkanWeb

“Absolutisht i papranueshëm”/ Republika Çeke dhe Hungaria refuzojnë propozimin e ri për buxhetin e BE-së për buxhetin

Propozimi i ri për buxhetin shumëvjeçar të Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034 ka shkaktuar përplasje mes vendeve anëtare. Kryeministri çek Andrej Babiš e ka cilësuar planin “absolutisht të papranueshëm”, duke iu bashkuar kundërshtimeve të Hungarisë ndaj mënyrës së ndarjes së fondeve europiane.

Propozimi i ri për buxhetin shumëvjeçar të Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034 ka shkaktuar përplasje mes vendeve anëtare. Kryeministri çek Andrej Babiš e ka cilësuar planin “absolutisht të papranueshëm”, duke iu bashkuar kundërshtimeve të Hungarisë ndaj mënyrës së ndarjes së fondeve europiane. Duke folur për mediat përpara një takimi të Grupit të Vishegradit, Babiš deklaroi se propozimi nuk garanton financim të mjaftueshëm për shtetet anëtare, krahasuar me fondet që do të menaxhohen përmes programeve të centralizuara të BE-së. “Buxheti është absolutisht i papranueshëm. Qëndrimet tona janë aq larg njëra-tjetrës, saqë nuk mund ta imagjinoj se si mund të arrijmë një marrëveshje”, u shpreh kryeministri çek. Ai kundërshtoi gjithashtu përfshirjen e financimit për Ukrainën në buxhetin e përgjithshëm të BE-së, duke argumentuar se kjo çështje duhet të trajtohet veçmas. Propozimi i presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, parashikon një buxhet prej 1.582 trilionë eurosh për shtatë vitet e ardhshme, pas shkurtimit me rreth 40 miliardë euro të draftit të mëparshëm. Kundërshtimet nuk vijnë vetëm nga vendet përfituese të fondeve europiane. Gjermania, kontribuuesi më i madh neto në buxhetin e BE-së, e konsideron planin ende tepër të lartë, ndërsa Franca ka shprehur shqetësime për financimin e pamjaftueshëm të fermerëve.

Edhe kryeministri hungarez Péter Magyar ka kritikuar propozimin, duke vlerësuar se ai nuk i afron vendet anëtare drejt një marrëveshjeje. Ndërkohë, kryeministri sllovak Robert Fico ka akuzuar kancelarin gjerman Friedrich Merz për “shantazh”, lidhur me përpjekjet për të lidhur negociatat e buxhetit me ndihmën për Ukrainën.

Një tjetër pikë përplasjesh mbetet shpërndarja e fondeve për infrastrukturën. Babiš argumenton se vendet e Europës Perëndimore kanë përfituar për vite me radhë nga fondet europiane për ndërtimin e infrastrukturës, ndërsa shtetet më të reja anëtare kanë ende nevojë për investime në autostrada dhe rrjete hekurudhore.

Liderët europianë pritet të diskutojnë propozimin në samitin e jashtëzakonshëm të 26-27 nëntorit, me synimin për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të arritur një kompromis në dhjetor.

Buxheti i ri shtatëvjeçar do të përcaktojë financimin e politikave kryesore të Bashkimit Europian, nga bujqësia dhe zhvillimi rajonal, deri te teknologjia, industria, kërkimi shkencor dhe mbështetja për Ukrainën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: hungaria Republika Çeke