Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, pritet që në tetor të nisë turneun e rregullt vjetor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit tradicionalisht viziton të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë. Por këtë herë, pikërisht Serbia mund të paraqesë problem. LEXO edhe...Pas homazheve për Mlladiçin, Vuçiç ashpërson retorikën ndaj BE-së: Serbët kanë frikë nga Zoti jo nga Marta Kos-i! Shqipëria, Kosova e Kroacia 'na kërcënojnë me aleanca' Në vend aktualisht mbizotërojnë tensione gjithnjë e më të theksuara politike dhe shoqërore. Pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë, është intensifikuar madhërimi i figurës së tij, ndërsa me mbështetje logjistike shtetërore është bërë kthimi i trupit të pajetë dhe është paralajmëruar një ceremoni e madhe mortore, duke shkaktuar reagime të ashpra nga Bashkimi Evropian. Ka tregues se Brukseli u ka bërë drejtpërdrejt presion autoriteteve në Beograd që të mos lejojnë mbajtjen e një varrimi shtetëror. Në të njëjtën kohë, këtë javë u konfirmua se aktivistë dhe politikanë opozitarë kanë qenë objektiv i softuerëve spiunues, në prag të cikleve të mundshme kyç zgjedhore në Serbi. Edhe pse zgjedhjet ende nuk janë shpallur, atmosfera politike në Serbi gjithnjë e më shumë i ngjan një fushate të pashpallur parazgjedhore. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, javët e fundit po viziton në mënyrë intensiv qytete dhe fshatra në mbarë Serbinë, ku po takohet me qytetarë, po viziton projekte infrastrukturore dhe po premton zgjidhjen e problemeve lokale – nga rrugët dhe ujësjellësit deri te rritja e të ardhurave. Shpeshtësia e këtyre aktiviteteve dhe mënyra se si paraqiten në publik kanë karakterin e një fushate joformale parazgjedhore, veçanërisht për shkak se qytetarëve u përcillet mesazhi se përmirësimet konkrete janë rezultat i politikave të Vuçiqit dhe SNS-së. Sipas disa të dhënave jozyrtare, zgjedhjet mund të mbahen në fund të tetorit. Nëse kjo ndodh, vizita e mundshme e presidentes së Komisionit Evropian në Serbi do të përkonte me një fushatë të plotë parazgjedhore. Serbia si problem për turneun rajonal E gjithë kjo e bën veçanërisht problematike një vizitë të mundshme në Beograd. Porm ekziston edhe një paradoks tjetër. Sipas burimeve jozyrtare në Bruksel, nëse von der Leyen, për shkak të situatës politike, vendos ta anashkalojë Serbinë, ekziston mundësia që të mos ketë fare turneun e saj tradicional në Ballkanin Perëndimor. Me fjalë të tjera, vendimi për të mos e vizituar Serbinë mund të vërë në pikëpyetje të gjithë turneun rajonal. Toby Vogel nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit (DPC) konsideron se anulimi i turneut në Ballkan do të dërgonte një sinjal të gabuar. “Kjo do të dërgonte sinjalin se Serbia është më e rëndësishme se vendet e tjera”, tha Vogel për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Megjithatë, ai vlerëson se shefja e KE-së, pikërisht për shkak të momentit politik, nuk duhet ta vizitojë Serbinë. “Një vizitë e mundshme e presidentes së Komisionit Evropian në Serbi në prag të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me gjasë përbëjnë sfidën më të madhe për pushtetin e presidentit Vuçiç në 15 vjetët e fundit, dërgon pikërisht sinjalin e gabuar. Ajo përcjell mesazhin se Komisioni Evropian dhe, rrjedhimisht, Bashkimi Evropian, e mbështet Vuçiqin në këtë garë zgjedhore. Me këtë, sërish u kthehet shpina studentëve që protestojnë dhe të tjerëve që marrin pjesë në protestat e udhëhequra nga studentët“, theksoi Vogel. REL-i iu drejtua kabinetit të von der Leyen me pyetjen nëse presidentja e Komisionit Evropian planifikon ta vizitojë së shpejti Serbinë. Deri në publikimin e këtij teksti, nga zyra e shefes së KE-së nuk kanë kthyer përgjigje. Turneu në Ballkan ende në pikëpyetje Sipas informacioneve që REL ka marrë nga burime brenda Komisionit Evropian, mundësia e vizitës në Serbi ende mbetet në tryezë, ashtu si edhe planet për vizitat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Turneu ende nuk është paralajmëruar zyrtarisht, por kjo nuk është e pazakontë. Agjenda e presidentes së Komisionit Evropian shpesh publikohet vetëm një javë përpara. Vizitën e planifikuar në Beograd e paralajmëroi i pari publikisht deputeti i Parlamentit Evropian Vlladimir Prebilliq, i cili e publikoi informacionin në rrjetet sociale. “Nuk ka asnjë justifikim që presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ta vizitojë Beogradin muajin e ardhshëm dhe të krijojë përshtypjen e rreme të normalitetit në marrëdhëniet me autoritetet serbe. Mundësimi i një fotografie të Vuçiqit me zyrtarë të lartë evropianë, në kulmin e këtyre zbulimeve, përbën një lloj ‘pastrimi’ të represionit shtetëror dhe dëmton seriozisht kredibilitetin e BE-së në Serbi dhe në rajonin më të gjerë“, tha Prebilliq për Shërbimin e Ballkanit të REL-it. Anulimi i vizitës së Kos e ndërlikon më shumë vizitën e planifikuar të von der Leyen në Serbi Situatën e ndërlikon më tej vendimi i komisioneras evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për ta anuluar vizitën në Beograd. Kos të premten, më 4 shtator, deklaroi se madhërimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, pas vdekjes së tij, nuk është “në përputhje me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”. Megjithatë, edhe ky vendim nuk kaloi pa pyetje lidhur me kohën dhe lidhur me parimin e këtij vendimi. Vizita u anulua tetë ditë pas vdekjes së Mlladiçit, në kulmin e intensifikimit të madhërimit të figurës dhe veprës së tij dhe pas disa ditësh paralajmërimesh se mund të organizohej një varrim shtetëror. Komisionarja Kos nuk reagoi menjëherë pas vdekjes së Mlladiqit më 27 gusht. Për Mlladiqin dhe varrimin e tij ajo foli vetëm më 4 shtator, disa orë para se të njoftonte se po e anulonte vizitën. Disa burime të REL-it në Bruksel konfirmuan se ndaj Kos është ushtruar presion i madh, ndër të tjera edhe nga radhët e Parlamentit Evropian, që të mos udhëtonte në Beograd. Vogel konsideron se një vizitë e mundshme e von der Leyen në Serbi do të përbënte një goditje shtesë për viktimat e luftës në Bosnjë e Hercegovinë. “Pas varrimit të një krimineli të dënuar, ku me gjasë do të marrin pjesë shumë anëtarë të Qeverisë – të një njeriu të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë nga të gjitha – kjo vizitë, sinqerisht, do të ishte gjithashtu një shuplakë për të mbijetuarit. Disa javë pas varrimit shtetëror të Ratko Mlladiqit, asnjë zyrtar evropian nuk duhet të shkojë në Serbi dhe të fotografohet me Aleksandar Vuçiqin, duke i shtrënguar dorën dhe duke buzëqeshur“, tha Vogel. “I dashur Aleksandar” Problemi me vizitën e mundshme të von der Leyen në Beograd merr peshë shtesë për shkak të marrëdhënies së saj të deritanishme me Vuçiqin. Presidentja e Komisionit Evropian prej vitesh ka shfaqur një marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohtë me presidentin serb. Gjatë pothuajse çdo vizite në Serbi, ajo ka përdorur një ton dukshëm afirmues, duke iu drejtuar kryesisht me shprehjen “i dashur Aleksandar” – shprehje që shpesh është kritikuar nga ekspertët që merren me rajonin. Ajo e ka përshkruar Serbinë si një nga vendet kandidate që ka bërë më së shumti përparim dhe ka lavdëruar rezultatet e saj në reforma. Më së largu shkoi në tetor të vitit 2024, kur tha se Serbia ka treguar se “fjalët shndërrohen në vepra”.. Kjo ndodhi gjatë luftës intensive në Ukrainë, gjatë së cilës Serbia nuk u harmonizua me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe ruajti marrëdhënie të afërta me Kremlinin. Kjo periudhë përfshiu edhe vizitën e Vuçiqit në Moskë, pavarësisht thirrjeve nga Brukseli që të mos udhëtonte në kryeqytetin rus. Në të njëjtën kohë, në Serbi në fund të vitit 2024 nisën protestat masive studentore pas shembjes së strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku vidqën 16 persona. Vetëm në tetor të vitit 2025, von der Leyen nuk e përdori shprehjen “i dashur Aleksandar“ dhe këmbënguli disi më drejtpërdrejt se Serbia duhet të përparojë në fushat e sundimit të ligjit, kornizës zgjedhore, lirisë së medias dhe harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Pavarësisht ashpërsimit të tonit në paraqitjet publike, von der Leyen vazhdimisht ka bërë përpjekje të forta për vazhdimin e rrugës evropiane të Serbisë dhe për përparimin në negociatat e anëtarësimit. Megjithatë, kjo qasje deri më tani nuk ka pasur mbështetjen e disa shteteve anëtare të BE-së. Negociatat e anëtarësimit ndërmjet BE-së dhe Beogradit ende janë të bllokuara. Mosshkuarja, “e vetmja lëvizje e denjë” Nëse von der Leyen megjithatë vendos ta vizitojë Beogradin, pyetja nuk do të jetë më vetëm se çfarë do të thotë atje, por edhe se si do të paraqitet ardhja e saj në Serbi. Vogel konsideron se, për shkak të momentit politik problematik, von der Leyen do të kishte përgjegjësi të veçantë që të ishte shumë më e qartë se sa ka qenë e gatshme të jetë gjatë viteve të mëparshme – të kritikojë Vuçiçin dhe të thotë hapur se zhvillimet shqetësuese në Serbi kanë çuar në prapakthim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Por, edhe nëse von der Leyen përcjell mesazhe të ashpra në Beograd, ekziston rreziku që pushteti ta shfrytëzojë vizitën e saj në favor të vet. “Vërtetë mendoj se mosshkuarja është e vetmja lëvizje e denjë në këtë situatë. Von der Leyen nuk duhet të shkojë në Serbi, sepse pavarësisht asaj që do të thotë atje, regjimi do ta manipulojë vizitën e saj dhe do ta shndërrojë atë në mbështetje për Vuçiqin në prag të zgjedhjeve të rëndësishme. Dhe ky nuk është pozicioni në të cilin duhet të gjendet Komisioni Evropian“, përfi Vogel./REL Xh.K/ReportTv.al ballkani perendimor serbi Ursula von der Leyen aleksander vucic Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.6% Të gabuar 21.1% Nuk e di 4.3% Vota total: 3913 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?

