I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, tha se në protestë janë të mirëpritur të gjithë qytetarët që kërkojnë ndryshimin, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, duke theksuar se në shesh nuk duhet të ketë barriera për socialistë, demokratë apo çdo qytetar tjetër. I pyetur nga moderatorja Erla Mëhilli nëse edhe Sali Berisha mund të vijë në shesh për të qenë pjesë e protestës, Lapaj u shpreh se çdo qytetar që nuk i ka hyrë në hak këtij vendi ka të drejtë të jetë në shesh megjithatë, shtoi se, sipas tij, Berisha duhet të ishte tërhequr nga politika. “Në protestën kundër qeverisë janë të mirëpritur të gjithë dhe çdokush ka të drejtë të jetë në shesh. Nuk duhet të vihen bileta në atë shesh, duhet të jetë çdo socialist, çdo demokrat dhe çdo qytetar që do që ky vend të ndryshojë. Çdo qytetar që nuk i ka hyrë në hak këtij vendi mund të vijë. Sa i përket kreut të PD-së, mendoj që Sali Berisha duhet të ishte tërhequr në pensionin e tij politik dhe nuk duhej të merrej me këtë punë’, tha Lapaj.
