Për fat të keq, po. Veprimi i pazakontë dhe i paprecedent në 36 vite të Kuvendit demokratik të Shqipërisë, i deputetit Agron Shehaj, kryetar i një partie të re opozitare, i cili, pasi firmos, në sekretarinë e Kuvendit për të lexuar në atë mjedis, sipas rregullores së Kuvendit për dokumentet e klasifikuara, kopjen e marrëveshjes sekrete ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, për blerjen nga vendi ynë të 302 milionë dollarë pajisje dhe sisteme ushtarake, e merr, i paautorizuar, rrëmbimthi marrëveshjen dhe mbyllet me të në një mjedis tjetër të Kuvendit, është i rëndë. Ai ngjall shqetësime serioze ligjore, institucionale dhe të sigurisë. U prek besueshmëria institucionale e Shqipërisë? LEXO edhe...Agroni të shpjegojë pse ia futi vrapit Parlamenti është institucioni më i lartë përfaqësues i vendit dhe administrimi i dokumenteve të tij rregullohet nga procedura të posaçme. Dokumentet që mbajnë status të klasifikuar, ose përmbajnë informacion të ndjeshëm, trajtohen sipas rregullave të sigurisë dhe të aksesit të kufizuar. Çdo shmangie nga këto procedura, cenon integritetin e veprimtarisë së Kuvendit dhe seriozitetin e shtetit tonë. Deputeti firmosi në sekretarinë e Kuvendit për të konsultuar, në ambientet e përcaktuara nga administrata parlamentare, një kopje të marrëveshjes sekrete ushtarake ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Largimi i dokumentit pa autorizim nga mjedisi ku mbahej, ngre çështje të mprehta, që lidhen me respektimin e legjislacionit për informacionin e klasifikuar, me ruajtjen e dokumentacionit shtetëror dhe me përgjegjësinë individuale të personave që kanë akses në të. Dhe kryeçështja: vihet në pikëpyetje serioziteti i shtetit tonë dhe besueshmëria institucionale e Shqipërisë, në raportet me aleatin më të rëndësishëm të vendit tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partnerët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të, presin që informacioni i ndjeshëm të trajtohet sipas standardeve të sigurisë. Çdo incident që krijon dyshime mbi respektimin e këtyre standardeve, mund të ketë pasoja që shkojnë përtej debatit tonë të brendshëm politik. Askush nuk mund të pretendojë se mandati i deputetit i jep të drejtën asaj apo atij, që të vendosë vetë se cilat procedura të Kuvendit dhe të ligjit për dokumentet e klasifikuara do të respektojë dhe cilat jo. Përkundrazi, deputeti duhet të jetë modeli i respektimit të ligjit dhe i kulturës institucionale. Nëse përfaqësuesit e popullit nuk respektojnë procedurat që garantojnë funksionimin normal të shtetit, çfarë mesazhi u jepet qytetarëve për respektimin e ligjit? Limitet e deputetëve, edhe e atyre të opozitës Është legjitime që opozita të kërkojë informacion, të kundërshtojë vendime të shumicës dhe të ushtrojë kontroll parlamentar. Kjo është një pjesë thelbësore e demokracisë. Por po aq legjitime është edhe pritshmëria që ky kontroll të ushtrohet përmes mekanizmave të parashikuar nga Kushtetuta, ligji dhe Rregullorja e Kuvendit, dhe jo përmes veprimeve që vënë në diskutim administrimin e dokumenteve të klasifikuara. Demokracia nuk matet vetëm me të drejtën për të kërkuar transparencë. Ajo matet edhe me detyrimin për të respektuar rregullat që vetë institucionet kanë vendosur për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm. Sidomos kur bëhet fjalë për dokumente që lidhen me mbrojtjen kombëtare dhe bashkëpunimin strategjik me aleatin më të rëndësishëm të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimi institucional i Kuvendit Në këtë situatë, është shumë i rëndësishëm reagimi institucional. Administrata e Kuvendit ka përgjegjësinë të sqarojë rrethanat, të dokumentojë faktet dhe, nëse është e nevojshme, t'ua referojë çështjen organeve kompetente, për të vlerësuar nëse janë respektuar apo jo procedurat për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara. Në një shtet të së drejtës, përgjigjja ndaj një incidenti institucional nuk duhet të jetë politike, por ligjore dhe procedurale. Në një demokraci kushtetuese, përgjigjja duhet të jetë e qartë: qëllimi nuk mund të justifikojë shmangien e rregullave. Pikërisht respektimi i tyre është ai që mbron demokracinë, shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarëve tek institucionet që kanë votuar. P.J/ReportTv.al marreveshja me shba shqiperi kuvend fatos cocoli agron shehaj Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 64.3% Jo 29% Nuk e di 6.7% Vota total: 7196 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?

