Një ngarkesë e dyshuar me kanabis që dyshohet se kishte ardhur nga Kanadaja drejt Shqipërisë është sekuestruar në Portin e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Anchor”.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me vlerë të përllogaritur rreth 1 milion euro në treg. Për këtë rast janë arrestuar tre persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Hetimi është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë Kufitare, Forcën e Posaçme Operacionale dhe autoritetet doganore.
Gjatë kontrollit në port janë gjetur 127 pako me lëndë narkotike, të fshehura në një hapësirë të modifikuar të një automjeti që ishte porositur në Kanada. Sipas hetuesve, droga dyshohet se ishte siguruar në Ontario dhe më pas ishte transportuar drejt Shqipërisë.
Dyshimet e grupit hetimor janë se pas mbërritjes në vend, ngarkesa do të shpërndahej në Shqipëri dhe më tej në Kosovë.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro.
Në pranga kanë rënë tre shtetas kosovarë, T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç dhe B. J., 40 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur H. C., nga Kukësi, dhe G. O., me origjinë nga Kosova dhe banues në Ontario të Kanadasë.
Sipas hetimeve paraprake, personat e përfshirë dyshohet se kishin role të ndryshme në sigurimin, fshehjen, transportin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të dyshuar të trafikimit.

