Një mësues i edukimit fizik është ndaluar në Vlorë, pasi shtatë nxënëse të shkollës ku ai jepte mësim e kanë kallëzuar për ngacmim seksual. Policia bëri me dije se u ndalua shtetasi Albano Ameti, 35 vjeç, banues në Vlorë, mësues i edukimit fizik në shkollën e bashkuar Selenicë, pasi 7 nxënëse të kësaj shkolle, të moshave 14–17 vjeçe, kanë bërë kallëzim se ky shtetas i ka ngacmuar seksualisht në ambientet e shkollës. 7 nxënëset mësohet se kanë shkuar dhe janë ankuar fillimisht tek mësuesi. Më pas në prani të psikologes dhe mësuesve të tyre janë pyetur dhe nga drejtuesit e shkollës si dhe nga efektivët e policisë. Ato kanë dhënë deklarimet e tyre me shkrim se mësuesi i ngacmonte seksualisht. Denoncime këto që vajzat i kanë bërë edhe me shkrim duke i firmosur. Ato janë shprehur se janë ngacmuar me fjalë, me mesazhe në telefon dhe me shikime gjatë orës së edukimit fizik. Pas rastit, marrjes së dëshmive policia ka nisur hetimet. Ka shoqëruar mësuesin e edukimit fizik banues në Vlorë në polici dhe ndërkohë po e merr në pyetje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
