Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 62-të, duke shënuar mbi dy muaj mobilizim të pandërprerë në rrugët e Tiranës. Edhe këtë mbrëmje, qytetarët pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë për të vijuar protestën e përditshme, e cila sipas organizatorëve do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Ajo që nisi si një reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje qytetare më të gjerë, me protesta të përditshme kundër qeverisë dhe asaj që organizatorët e cilësojnë si kastë politike. Për më shumë se dy muaj, tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe me thirrje të vazhdueshme për ndryshim politik. Në protestën e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ata përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u shprehën se pakënaqësia qytetare po zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Gjatë tubimit u bë edhe thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare të paralajmëruar për të shtunën, më 1 gusht, në Tiranë. Sipas organizatorëve, protestës pritet t’i bashkohen edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ndërsa u ftuan qytetarët nga i gjithë vendi të marrin pjesë në tubim.
Si çdo mbrëmje, edhe sot protesta pritet të nisë me fjalime para Kryeministrisë dhe të pasohet nga marshimi në rrugët e Tiranës. Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke theksuar se protesta nuk do të ndalet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

