Protesta qytetare kundër qeverisë do të vijojë edhe nesër në Tiranë, me tubimin e radhës që shënon ditën e 58-të të revoltës. Qytetarët pritet të mblidhen sërish përpara Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Protesta e nesërme vjen pas një vale të gjatë tubimesh të përditshme, gjatë të cilave protestuesit kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit dhe kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë. Kërkesa e protestuesve vijon të mbetet e pandryshuar dhe cilësohet prej tyre si e panegociueshme: dorëheqja e Edi Ramës. Në protestat e ditëve të fundit, qytetarët kanë shprehur kundërshtimin e tyre edhe ndaj deklaratave të kryeministrit, ndërsa kanë deklaruar se nuk kërkojnë më platforma apo premtime të reja, por largimin e qeverisë dhe, sipas tyre, krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantonte zgjedhje të lira.
Ndërkohë, protesta ka marrë një dimension më të gjerë qytetar, me thirrje që kanë vijuar në mënyrë të përsëritur në rrugët e Tiranës. Edhe vetë kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të fundit, pranoi se në protestat e zhvilluara kanë marrë pjesë edhe socialistë, mbështetës apo votues të Partisë Socialiste dhe punonjës të administratës, duke i cilësuar këto reagime si një sinjal për mazhorancën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

