Péter Magyar Magyar heton perandorinë 4iG dhe lidhjet me shtetin: Mos tentoni të zhdukni paratë dhe pasuritë… Kryeministri hungarez Péter Magyar ka konfirmuar se qeveria e tij ka nisur një kontroll të gjerë të marrëdhënieve kontraktuale, financiare dhe pronësore mes shtetit hungarez dhe grupit 4iG, duke vendosur nën lupë disa prej transaksioneve më të mëdha të realizuara gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
Magyar e bëri njoftimin përmes një videoje në Facebook, ku tha se në proces do të përfshihen katër ministri dhe se verifikimet do të mbulojnë jo vetëm 4iG, por edhe marrëveshjet e lidhura nga kompanitë e saj të kontrolluara.
Sipas kryeministrit, qëllimi është të përcaktohet nëse transaksionet e mëdha shtetërore dhe skemat e financimit të viteve të fundit kanë qenë në përputhje me ligjin dhe me interesin publik.
Magyar tha se 4iG është transformuar gjatë viteve të fundit nga një kompani informatike në grupin më të madh hungarez të telekomunikacionit dhe teknologjisë, duke u zgjeruar më pas edhe në industrinë ushtarake dhe hapësinore. Sipas tij, ngritja e kompanisë është ndërthurur në disa momente me “vendimet e qeverive Orbán, oligarkët e tyre dhe përdorimin e parave të shtetit”.
Kryeministri përmendi në mënyrë të veçantë programin e obligacioneve për rritjen ekonomike të Bankës Kombëtare të Hungarisë, përmes të cilit, sipas tij, 4iG siguroi rreth 389 miliardë forinta financim.
Më pas, në vitin 2022, grupi mori kontrollin e shumicës së Antenna Hungária, pas një procesi të rritjes së kapitalit me vlerë mbi 400 miliardë forinta.
Magyar u ndal veçanërisht te blerja e Vodafone Hungary në vitin 2023. Transaksioni kishte një vlerë prej 660 miliardë forintash dhe shteti hungarez siguroi një pjesëmarrje prej 49%. Sipas kryeministrit, shteti nuk mori pjesë vetëm si pronar, por banka shtetërore e zhvillimit u përfshi edhe në financimin e 4iG.
Magyar e cilësoi këtë proces si “dobësim dhe plaçkitje sistematike të shtetit”. Qeveria hungareze nis hetim zyrtar për 4iG, çfarë do të ndodhë me One Albania?
16 Gusht, 14:46 Kontrolli do të përfshijë edhe zgjerimin e 4iG në industrinë e mbrojtjes. Magyar tha se kompania arriti të merrte nën kontroll ndërmarrje strategjike të industrisë ushtarake me ndihmën e kredive shtetërore dhe se, përpara zgjedhjeve, ishte arritur gjithashtu një marrëveshje për krijimin e një strukture të përbashkët me shtetin në sektorin e mbrojtjes.
Sipas tij, kjo është veçanërisht shqetësuese pasi ndodhi në një periudhë kur Hungaria ndodhej në gjendje emergjence për shkak të rrezikut të luftës dhe kur vendet anëtare të NATO-s po rrisnin shpenzimet e tyre për mbrojtjen.
"4iG është një përbindësh i ndërlikuar për ekzistencën e të cilit, por veçanërisht për madhësinë dhe ndikimin e tij, hungarezët kanë pasur pak informacion deri më tani. Por ne po i japim fund kësaj tani, sepse fijet e aferave të dyshimta të bizneseve më të mëdha të viteve të fundit pothuajse të gjitha çojnë në këtë kompani", tha ai.
Magyar e paraqiti çështjen e 4iG si pjesë të një procesi shumë më të gjerë. Sipas tij, gjatë 16 viteve të qeverive Orbán, pjesë të rëndësishme të infrastrukturës strategjike të vendit janë kaluar në duar private duke përdorur shuma të konsiderueshme të parave publike.
Mes shembujve ai përmendi koncesionet e autostradave, termocentralin Mátra dhe kompanitë shtetërore të sektorit energjetik.
Një pjesë qendrore e hetimit do të jetë kontrolli i kontratave shtetërore të fituara nga 4iG dhe kompanitë e saj. Qeveria do të shqyrtojë financimet dhe garancitë shtetërore, transaksionet që lidhen me Antenna Hungária dhe mënyrën se si u financua blerja e Vodafone.
Në lupë do të vendoset gjithashtu kontrata kuadër mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe 4iG, e nënshkruar përpara zgjedhjeve dhe me vlerë mbi 1.300 miliardë forinta, si dhe kontratat e programit satelitor që kalojnë 850 miliardë forinta.
Për këto të fundit, Magyar tha se, nëse është e nevojshme, shteti duhet të tërhiqet nga kontratat.
Edhe transferimet e pronësisë në industrinë ushtarake dhe lëvizjet e parave publike të lidhura me to do të bëhen pjesë e verifikimeve.
Sipas Magyar, në tërësi bëhet fjalë për përdorimin e “shumë mijëra miliardë forintave” të parave publike.
Ai premtoi se rezultatet e hetimeve do të bëhen publike dhe se qeveria do të tregojë edhe nëse një transaksion ka qenë i rregullt dhe në interes të qytetarëve hungarezë.
Por paralajmërimi i tij ishte i qartë për rastet ku mund të zbulohen shkelje.
Nëse konstatohet parregullsi, keqpërdorim i parave publike apo dyshim për vepër penale, qeveria do të bëjë kallëzim dhe do të përpiqet të rikuperojë pasurinë e shtetit hungarez.
Magyar tha se qeveria do t'u drejtohet autoriteteve kompetente, përfshirë administratën tatimore NAV, policinë dhe prokurorinë. Detyra e ekzekutivit, sipas tij, do të jetë mbledhja e dokumenteve që disponon shteti dhe dorëzimi i tyre tek institucionet përkatëse.
Në fund të videos, kryeministri iu drejtua drejtpërdrejt drejtuesve të 4iG dhe kompanive të tjera që ai i cilëson si pjesë të sistemit NER, rrjeti politik dhe ekonomik i lidhur me epokën e Orbánit.
Magyar i paralajmëroi “të mos përpiqen të nxjerrin, transferojnë apo zhdukin para, elemente të pasurisë ose asete të tjera”.
"Nëse ju, menaxherët dhe pronarët e mëdhenj të 4iG ose kompanive të tjera NER, mendoni se hetimi gjithëpërfshirës qeveritar dhe rregullator do të zbulojë krime, atëherë thjesht ktheni qindra miliarda para të harruara që u kanë mbetur në Thesarin e Shtetit Hungarez dhe përfni të gjitha aktivitetet që nuk do t'u shërbenin interesave të shtetit hungarez ose popullit hungarez”, shtoi ai.
Mesazhi i kryeministrit është se verifikimi nuk do të kufizohet te një kontratë e vetme. Nga Vodafone dhe Antenna Hungária te industria ushtarake, programi satelitor dhe financimet shtetërore, qeveria synon të rindërtojë të gjithë zinxhirin e marrëdhënieve mes 4iG dhe shtetit dhe të përcaktojë se çfarë ka ndodhur me atë që Magyar e përshkruan si “shumë mijëra miliardë forinta” të parave publike.
Lidhja me One Albania
Zhvillimi është me interes edhe për tregun shqiptar të telekomunikacionit. 4iG është pronari i “One Albania”, ndërsa sipas të dhënave financiare të vitit 2024, operatori shqiptar rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua nga kompania mëmë hungareze.
Kjo do të thotë se çdo tronditje financiare, politike apo hetimore ndaj 4iG në Budapest mund të krijojë efekte zinxhir edhe në Shqipëri, duke prekur jo vetëm “One Albania”, por potencialisht të gjithë tregun strategjik të telekomunikacionit.
Sipas mediave vendase, ngrihen pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si 4iG ndërtoi perandorinë e saj gjatë viteve të Orbanit, përmes blerjeve agresive të Vodafone Hungary, Digi, Antenna Hungaria dhe kompanive të tjera strategjike.
Sipas tyre, grupi është sot një “rrjet kompleks kompanish” me lidhje të forta politike, ku përfshihen figura pranë kabinetit të Orbanit dhe institucione shtetërore hungareze.
Vetëm pak muaj më parë, aksioneri kryesor i 4iG, biznesmeni Gellért Jászai, zhvilloi vizita në Tiranë dhe Podgoricë për të zgjeruar investimet në rajon.
Në Tiranë ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa kompania njoftoi se fokusi i bisedimeve ishte zgjerimi i “One Albania”, investimet në qendra të të dhënave dhe projekti strategjik “2EAGLE”, kablli nëndetar që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.
Por ndërsa 4iG po zgjerohet në Ballkan, në Hungari po shtohen dyshimet se kompania po përpiqet të zhvendosë asetet dhe influencën jashtë vendit, përpara se qeveria e re të nisë ndërhyrjet.
“Telex” shkruan se vetë struktura e re e 4iG po organizohet në mënyrë që asetet të ndahen në disa holdingje, çka mund të lehtësojë shitjen apo shkëputjen e segmenteve të caktuara.
Një nga segmentet më të rëndësishme mbetet telekomunikacioni, ku përfshihen “One Hungary”, “One Albania”, “One Montenegro” dhe projektet e reja në Maqedoninë e Veriut.
Kjo ka ngritur pikëpyetje edhe për fatin afatgjatë të “One Albania”, në rast se 4iG përballet me probleme financiare, hetime apo ndërhyrje të forta politike në Hungari. /Pamfleti
péter magyar ‘one albania Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Katër ditë nën flakë, zjarri shkrumbon masivin me pisha në Pukë; kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri 17 Gusht 2026, 18:2418:24Aktualitet “Zbrit ose do digjem me benzinë”/ Krimi në Fier i paralajmëruar disa herë, dëshmia e Rozalinda Plakës: Refiti më vuri 3 kushte! 17 Gusht 2026, 17:4317:43Aktualitet Nën hetim për ndërtimet pa leje, lirohet nga qelia ish-shefi i Komisariatit të Sarandës! 17 Gusht 2026, 17:0217:02Aktualitet Pas dorëheqjes së Arben Carës, Ervis Gjoshi zgjidhet në krye të Zjarrfikësve! 17 Gusht 2026, 16:3716:37Aktualitet U nis nga Aeroporti i Tiranës, shqiptari ndërron jetë pas uljes në Bolonjë 17 Gusht 2026, 13:3913:39Aktualitet Radhë të gjata në Qafë Botë, 500 automjete në pritje për të kaluar kufirin 17 Gusht 2026, 11:2011:20Aktualitet

