Një atentat me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e sotëm Sarandën, ku 42-vjeçari Artan Myrtaj është ekzekutuar me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pranë komisariatit të Policisë së Sarandës, vetëm rreth 30 metra larg godinës. Myrtaj është qëlluar për vdekje dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të maskuar me skafandra, të cilët janë larguar me motor menjëherë pas të shtënave.
Policia ka nisur një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të zbardhur motivin e atentatit.
Mësohet se 42-vjeçari Artan Myrtaj ishte arrestuar edhe gjatë vitit 2025, nën akuzën e përkrahjes së autorit, në kuadër të hetimeve për një tjetër ngjarje plagosjeje të ndodhur në Sarandë.
Në vendngjarje janë mbledhur prova dhe janë marrë dëshmi, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe nëse ekzekutimi i sotëm mund të ketë lidhje me ngjarje të mëparshme kriminale.

