“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi. Do të ketë njerëz që do të përpiqen t’ju joshin, t’ju blejnë, t’ju frikësojnë apo t’ju vënë në provë. Qëndroni të fortë! Mos e bëni pis uniformën, mos e tradhtoni besimin e qytetarit dhe mos harroni kurrë se integriteti është arma juaj më e fuqishme.” Ky ishte mesazhi që ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u dha 387 efektivëve të rinj të Policisë së Shtetit, të cilët përfunduan kursin për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë dhe do t'i bashkohen strukturave të policisë në të gjithë vendin. Gjatë ceremonisë, Lamallari tha se 387 të rinjtë janë tashmë të përgatitur për një nga profesionet më të vështira dhe më fisnike, atë të garantimit të rendit dhe sigurisë publike. Ai u ndal edhe te besimi që qytetarët duhet të kenë te Policia e Shtetit, duke theksuar se ai nuk fitohet vetëm nga autoriteti që jep uniforma, por ndërtohet çdo ditë përmes sjelljes, profesionalizmit dhe komunikimit me qytetarët. LEXO EDHE:Pas takimit në Pogradec, Lamallari zbulon prioritetet e Ministrisë së Brendshme për vitin e dytë të mandatit “Mbi gjithçka është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit dhe gjithnjë e më shumë qaset si shërbim, jo thjesht si forcë bazuar te autoriteti që gëzon prej ligjit. Qytetarët nuk duhet t’ju shohin juve si një distancë mes tyre dhe shtetit. Përkundrazi, Policia është fytyra më e afërt e shtetit”, u shpreh ministri. Lamallari theksoi se objektivi është ndërtimi i një policie moderne, profesionale dhe njerëzore, e aftë jo vetëm të godasë krimin, por edhe ta parandalojë atë, ndërsa Akademinë e Sigurisë e cilësoi pikën ku nis procesi i modernizimit të Policisë së Shtetit. Në ceremoni foli edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili u kërkoi efektivëve të rinj të mos devijojnë nga misioni i tyre dhe të ruajnë gjithmonë integritetin. “Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta edhe në errësirë”, tha Hita. 387 efektivët e rinj pritet të shpërndahen në strukturat e Policisë së Shtetit, duke iu bashkuar forcave në terren në kuadër të përforcimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe procesit të modernizimit të institucionit. U.D/Shqiptarja.com TAG: policia e shtetit Skënder Hita Besfort Lamallari Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.8% Keq 34.2% Nuk e di 13% Vota total: 2228 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

