Aktivisti Arben Kola, gjatë fjalës së tij në ditën e 72-të të protestës para godinës së Kryeministrisë, ka përkujtuar figurën e poetit martir Havzi Nela në 38-vjetorin e ekzekutimit të tij nga regjimi komunist, duke lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Kola theksoi se ëndrra për liri vijon të mbështetet te frymëzimi i poetëve që u dergjën në burgjet e diktaturës. Pasi recitoi vargjet e poezisë së njohur “Eni të vajtojmë Shqipërinë”, aktivisti bëri një paralelizëm mes të shkuarës dhe situatës aktuale politike në vend: “Sot pas 38 vitesh, djali i Kristaq Ramës që hodhi firmën për varjen e poetit, vijon të përndjekë shqiptarët nga vendi i tyre. Amanetin e Havzi Nelës për Shqipërinë e lirë duhet ta çojmë përpara! Ja kemi borxh edhe brezave që po rriten, edhe brezave që po vijnë,” deklaroi Kola.
Në përmbyllje të ligjëratës së tij para protestuesve të mbledhur në shesh, aktivisti bëri thirrje për bashkim dhe qëndresë deri në arritjen e lirisë së plotë, duke e mbyllur fjalën e tij me sloganin: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
