Ajo që mbijeton nëpërmjet besimit, është një trashëgimi që vazhdon të jetojë. Me këtë mesazh, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj iu drejtua të gjithë të pranishmëve në ceremoninë e 35 vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u festua 15-vjetori i drejtimit të saj nga Baba Mondi, si dhe 11-vjetori i inaugurimit të kompleksit kulturor botëror. “Por përtej datave dhe përvjetorëve, kjo ditë mbart një kuptim më të thellë. Ajo është një dëshmi se institucionet shpirtërore mund të mbijetojnë edhe përtej tronditjeve të historisë, nëse mbështeten mbi kujtesën, besimin dhe vullnetin e njerëzve që i mbajnë gjallë. Dhe në qendër të këtij kapitulli qëndron një ide e thjeshtë, por e fuqishme: ajo që mbijeton nëpërmjet besimit, kujtesës dhe përkushtimit nuk është thjesht një institucion; është një trashëgimi që vazhdon të jetojë”, tha Baba Mondi. LEXO edhe...Berisha në SHBA, Trump sjell të dërguarin në Tiranë për një qendër të avancuar shëndetësore! Zampolli me Baba Mondin: E mbështesim shtetin Bektashi, por vendosin shqiptarët! Takime me PS dhe PD (VIDEO) Ndërsa u ndal te vlerat e bektashizmit, kreu Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu tha se besimi nuk ndërton mure mes njerëzve, por ura. “Besimi nuk është vetëm marrëdhënie me Zotin, ai shfaqet edhe në mënyrën se si sillemi me tjetrin, si trajtojmë të ndryshmin, si e mbrojmë të dobëtin dhe si kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Prandaj dialogu ndërfetar nuk duhet të jetë vetëm një takim protokllar i institucioneve fetare, ai duhet të jetë kulturë shoqërore. Nuk ushqen përçarjen, por respektin, nuk e mbyll njeriun në vetvete, por e fton atë të shohë tjetrin me dinjitet dhe mirësi”, tha Bujar Spahiu. Nga kisha ortodokse Autoqefale e Shqipërisë mesazhi u dha nga At Aleks Ndoni. “Marrëdhëniet ndërmjet Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetit bektashi janë karakterizuar nga komunikimi i vazhdueshëm dhe I hapur.’’ Bindja fetare nuk duhet të shndërrohet në arsye përçarje, urrejtje apo dhune ndaj tjetrit. Paqja fetare nuk ndërtohet, duke heshtur për dallimet, por duke mos lejuar që dallimet të bëhen mure armiqësie. Kjo përgjegjësi bëhet më e madhe sot, kur gjuha e urrejtjes dhe përçarja përhapet me shpejtësi sidomos mes të rinjve”, tha At Aleks Ndoni. Në fjalën e tij, ipeshkvi I Rrëshenit, Dom Gjergj Meta tha se solidariteti dhe dialogu është thelbi i njeriut dhe pa këto dy cilësi nuk mund të jetohet. “Në qoftëse brenda familjes nuk ka dialog, nuk do të ketë as jashtë. Nëse brenda familjes nuk ka solidaritet nuk do të ketë as jashtë. Komunitetet tona në shumë raste kanë theksuar rolin e rëndësishëm të familjes sepse aty zhvillohen farat e para”, tha Dom Gjergj Meta. Ky 35 vjetor jubilar mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, trupit diplomatik, komuniteteve fetare, akademisë, kulturës, së bashku me përfaqësues të Gjyshatave dhe teqeve Bektashiane nga Shqipëria dhe diaspora. Ora 15:57 35-vjetori e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryepeshkopi Joan: Bashkëpunimi ndërfetar në shërbim të paqes dhe mirëkuptimit Foto: Kryepeshkopi JoanKryegjyshata Botërore Bektashiane festoi 35 vjetorin e rihapjes së selisë së saj që pas rënies së komunizmit. Në mesazhin e tij Fortlumturia e Tij Joan, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë theksoi se gjithë këtyre viteve, marrëdhëniet ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Komunitetit Bektashian janë karakterizuar nga komunikimi i vazhdueshëm dhe i hapur, veçanërisht në përcjelljen e mesazheve për paqe.Kryepeshkopi thekson gjithashtu se komunikime të tilla përcjellin një mësim te besimtarët e komuniteteve te shoqëria pavarësisht se cilës fe i përket dhe çfarë bindjeje ka secili.Fortlumturia e Tij nënvizon se 'bindja fetare nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në arsye urrejtjeje, përçmimi apo dhune ndaj tjetrit'.Mesazhi i plotëKonferenca Ndërkombëtare Jubilare, e cila shënon tri përvjetorë të rëndësishëm për Komunitetin Bektashian: 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, 15-vjetorin e zgjedhjes së Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe 11-vjetorin e inaugurimit të Kompleksit Kulturor “Odeon”, na jep mundësinë t’ju shprehim urimet tona të sinqerta. Rihapja e institucioneve fetare pas rënies së regjimit ateist ishte një ngjarje e madhe për mbarë vendin. Pas dekadash ndalimi dhe persekutimi, shqiptarët rifituan një të drejtë themelore: lirinë për të besuar, për të shprehur bindjet e tyre dhe për të organizuar jetën e bashkësive të tyre fetare. Kjo liri është një pasuri e përbashkët, të cilën kemi detyrimin ta ruajmë me përgjegjësi.Ne u përkasim traditave fetare të ndryshme, me bindje dhe mësime që nuk janë të njëjta. Dialogu i ndershëm nuk kërkon t’i fshehim këto dallime, as t’i paraqesim besimet tona sikur të ishin të njëjta. Përkundrazi, ai kërkon që secili të jetë i sinqertë në besimin e vet dhe, njëkohësisht, i hapur për ta takuar tjetrin me respekt, pa frikë dhe pa paragjykim. Gjatë gjithë këtyre viteve, marrëdhëniet ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Komunitetit Bektashian janë karakterizuar nga komunikimi i vazhdueshëm dhe i hapur. Jemi takuar në çaste gëzimi dhe në çaste vështirësie; kemi marrë pjesë në veprimtari e takime të përbashkëta; kemi shkëmbyer vizita dhe urime me rastin e festave të secilit komunitet. Sa herë ka qenë e nevojshme të përcillet një mesazh paqeje, qetësie dhe mirëkuptimi, kemi gjetur njëri-tjetrin të gatshëm për bisedë dhe bashkëpunim. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka qenë gjithmonë e hapur dhe e gatshme për këtë komunikim, dhe e vlerësojmë sinqerisht këtë qëndrim.Këto takime nuk janë vetëm pjesë e mirësjelljes institucionale. Ato përcjellin një mësim të rëndësishëm te besimtarët e komuniteteve tona dhe te mbarë shoqëria: pavarësisht se cilës fe i përket dhe çfarë bindjeje ka secili, personi njerëzor duhet të respektohet, të dëgjohet dhe të trajtohet me dashuri. Bindja fetare nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në arsye urrejtjeje, përçmimi apo dhune ndaj tjetrit. Paqja fetare nuk ndërtohet duke heshtur për dallimet, por duke mos lejuar që dallimet të bëhen mure armiqësie. Ajo ndërtohet çdo ditë: me një fjalë të matur, me një takim të sinqertë, me një urim, me praninë pranë tjetrit në një çast të vështirë dhe me bashkëpunimin për çështje që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë mënyrë, drejtuesit fetarë japin shembull se besnikëria ndaj traditës së vet mund të bashkëjetojë me respektin e thellë për lirinë dhe dinjitetin e tjetrit.Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe sot, kur gjuha e urrejtjes, polarizimi dhe përçarja përhapen me shpejtësi, sidomos ndërmjet të rinjve. Detyra jonë e përbashkët është të mos lejojmë që feja të përdoret për të ndarë njerëzit, për të ndezur konfliktin apo për të justifikuar dhunën. Me fjalën dhe me shembullin tonë duhet të tregojmë se e ardhmja e Shqipërisë ndërtohet me liri, drejtësi, respekt të ndërsjellë dhe bashkëjetesë paqësore. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë në këtë rrugë: me identitet të qartë, me fjalë të sinqertë dhe me dorë të hapur për komunikim e bashkëpunim. Shpresojmë se edhe në vitet që vijnë marrëdhëniet tona me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane do të vazhdojnë në të njëjtën frymë të mirëkuptimit, të respektit dhe të përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë.Duke ju uruar mbarësi në punimet e kësaj konference, i shprehim Kryegjyshit Botëror, klerit bektashian dhe të gjithë besimtarëve të Komunitetit Bektashian urimet tona më të mira për këto përvjetorë jubilarë. Share SI.E./Xh.K/ReportTv.al baba mondi Dom Gjergj Meta Aleks Ndoni bujar spahiu kryegjyshata boterore bektashiane Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 81.5% Magjistratëve 13.2% Nuk e di 5.3% Vota total: 638 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?
