25 vatra zjarri janë raportuar në vend gjatë 12 orëve të fundit, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në terren janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë vendosur edhe 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri, ndërsa sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara. E njëjta situatë paraqitet edhe në Priskë të Tiranës, ku po punohet për shuarjen e një zjarri në sipërfaqe pyjore. Në Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.
Në qarkun Elbasan vijon puna për shuarjen e vatrave në Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe zonën e mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Kostren 2, bashkia Berat, zjarri është riaktivizuar dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e tij. Zjarret në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet–Drojë të Kurbinit janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet zjarret ne vend

