Një hetim i Sky News ka zbuluar mënyrën se si një kontrabandist shqiptar dyshohet se organizon hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në Britani përmes Tunelit të La Manshit, duke përdorur dokumente false. Sipas raportimit, kontrabandisti pretendon se për 24 mijë paund mund të sigurojë kalimin e një emigranti drejt Londrës, të fshehur si pasagjer në një automjet luksoz.
Burime të cituara nga media britanike, përfshirë një ish-oficer të Border Force dhe një zyrtar të Ministrisë së Brendshme, pranojnë se fluksi i lartë i udhëtarëve, mungesa e personelit dhe presioni mbi punonjësit mund të krijojnë hapësira që persona me dokumente të falsifikuara të kalojnë kontrollet. Sipas tyre, rrjetet kriminale po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, ndërsa pas forcimit të masave kundër kalimeve me gomone është vënë re një zhvendosje drejt përdorimit të pasaportave false.
Hetimi ngre gjithashtu shqetësime për shfrytëzimin e emigrantëve nga grupet kriminale, pasi shumë prej tyre detyrohen të punojnë për të shlyer borxhet ndaj kontrabandistëve. Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike këmbëngul se kontrollet në Tunelin e La Manshit janë ndër më të avancuarat dhe se rastet e hyrjeve të paligjshme përmes këtij itinerari mbeten shumë të rralla.

