Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar situatën e rënduar me mbeturinat në rrugën “Violeta Manushi”, në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë.
Sipas banorit, kjo situatë vijon prej rreth dy muajsh dhe, pavarësisht ankesave, deri tani nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e zonës.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihet trotuari i mbushur me mbeturina të ndryshme, duke përfshirë kartonë, qese plastike, mbetje shtëpiake, inerte ndërtimi dhe mobilie të vjetra, mes tyre edhe një divan.
Kontejnerët e mbeturinave shihen të tejmbushur, ndërsa mbetjet janë shpërndarë edhe përreth tyre dhe deri pranë rrugës.
Për shkak të mbeturinave, një pjesë e trotuarit është e bllokuar dhe kalimtarët detyrohen të lëvizin pranë rrugës së makinave.
Banori kërkon ndërhyrjen e shërbimeve të pastrimit për largimin e mbeturinave dhe pastrimin e hapësirës publike.
“Ju lutem na ndihmoni të na e pastrojnë. Kjo situatë ka 2 muaj dhe askush nuk merr masa”, shprehet ai.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga banori, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e institucioneve përgjegjëse. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

