Për të 16-tën të shtunë radhazi, aktivistë shqiptarë që jetojnë në Lombardi janë mbledhur në qendër të Milanos me flamuj kuqezi dhe pankarta me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”. Protesta është pjesë e të ashtuquajturës “Revolucioni Flamingo”, lëvizja e nisur në Shqipëri më 23 maj kundër ndërtimit të një resorti luksoz në një zonë natyrore të mbrojtur, projekt i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump. “Mbrojtja e mjedisit ishte shkëndija që ndezi një mobilizim më të gjerë”, thotë Aleks Tom Vulaj, shqiptar me banim në Legnano, i cili prej 25 vitesh jeton në Itali. Sipas tij, shqiptarët janë të lodhur nga situata ekonomike dhe nga politikanët që, sipas tij, mendojnë vetëm për interesat e tyre. Aktivistët po shqyrtojnë edhe organizimin e një marshimi nga Konsullata Shqiptare në rrugën San Martino drejt Duomos. Në Lombardi jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë. Mes aktivistëve është edhe Suela Mehdini, e cila thotë se protesta synon të sensibilizojë Italinë dhe Bashkimin Evropian për situatën në Shqipëri. Mehdini akuzon qeverinë për kufizimin e lirisë së shprehjes, ndryshimin e ligjeve dhe kalimin e tokave bujqësore te kompani të huaja. Aktivistët kërkojnë rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira. “E nisëm nga Milano, por do ta çojmë protestën edhe në qytetet më të vogla”, thotë Eneida Muzhaqi, e cila ka studiuar sociologji në SHBA përpara se të transferohej në Itali. Sipas saj, mbështetja e italianëve është thelbësore për këtë lëvizje./Il Giorno
