Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“150 milionë euro taksa shtesë për qytetarët, kaq kushton paketa e re fiskale”, Teliti: Rama në mëngjes flet për dialog, pasdite jep dajak!


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka kritikuar paketën e re fiskale të qeverisë, duke deklaruar se ajo do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 150 milionë euro shtesë në taksa çdo vit. Në një intervistë për News24, ai akuzoi qeverinë se nuk është konsultuar me grupet e interesit për paketën fiskale dhe projektbuxhetin, ndërsa e cilësoi si të pabesueshme thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog me protestuesit.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka kritikuar paketën e re fiskale të qeverisë, duke deklaruar se ajo do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 150 milionë euro shtesë në taksa çdo vit. Në një intervistë për News24, ai akuzoi qeverinë se nuk është konsultuar me grupet e interesit për paketën fiskale dhe projektbuxhetin, ndërsa e cilësoi si të pabesueshme thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog me protestuesit. Teliti theksoi se konsultimi me qytetarët, dhomat e tregtisë dhe përfaqësuesit e biznesit është një detyrim ligjor dhe jo një zgjedhje e qeverisë. Sipas tij, reagimet e grupeve të interesit tregojnë se ato nuk janë pyetur për paketën e re, ndërsa kanë paralajmëruar edhe rrezikun e rritjes së mëtejshme të çmimeve. “Me kë e dialogoi qeveria këtë paketë fiskale? Është detyrim ligjor që paketa fiskale dhe projektbuxheti të konsultohen me grupet e interesit dhe qytetarët, me dhomat e tregtisë dhe të biznesit. Ke reagimet e dhomave, investitorëve që kanë thënë jo thjesht nuk jemi pyetur, por kjo paketë rrezikon akoma më shumë rritjen e çmimeve në të ardhmen”, u shpreh Teliti. Duke komentuar thirrjet e kryeministrit për dialog me protestuesit, përfaqësuesi i PD-së tha se një proces i tillë nuk mund të funksionojë pa besim, pasi, sipas tij, qeveria ka zhgënjyer qytetarët dhe bizneset përgjatë 13 viteve në pushtet. Teliti akuzoi gjithashtu qeverinë për rritjen e barrës fiskale dhe keqmenaxhimin e parave publike. Ai solli në vëmendje edhe shembullin e “Prestige Resort”, duke e cilësuar sulmin ndaj biznesit si tregues të mënyrës se si, sipas tij, qeveria është përballur me sipërmarrësit. “Kur ke 13 vite që je tallur me qytetarët, kur i ke bërë që të paguajnë 750-800 milionë euro taksa shtesë vit për vit, kur ke abuzuar me paratë e shqiptarëve, kur Shqipëria është shpopulluar, kur ke dhunuar biznesin dhe duke i vënë tritolin. Në mëngjes thua dialog dhe pasdite jep dajak, apo natën hedh gaz lotsjellës, apo pasdite çon furgonat e policisë pa targa policie me disa civilë që edhe kanë grabitur vajzat rrugës apo njerëz që kanë thyer këmbët”, deklaroi Teliti.

Ai shtoi se në kushte normale, dialogu duhet të jetë pjesë e zakonshme e jetës politike, por pretendoi se qeveria aktuale e ka humbur besimin e qytetarëve. Sipas tij, thirrjet për bisedime nuk mund të zgjidhin krizën pa ndryshime në drejtimin e vendit.

Në përfundim, Teliti u shpreh se zgjidhja duhet të nisë me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, me objektiv organizimin e zgjedhjeve. Ai kërkoi që dialogu të zhvillohet mes forcave politike dhe përfaqësuesve të protestuesve.

“Duhet të ketë dialog me kryetarin e PS-së, sepse qeveria duhet të japë dorëheqjen. Dialogu duhet të vijë midis forcave politike dhe përfaqësuesve të protestës. Dialog midis politikës dhe ekzekutivit ka pasur 13 vite dhe është shkelur. Qeverisja të hapë krahun. Të ngrihet një qeveri tranzitore me objekt realizimin e zgjedhjeve. Të shkojmë të gjithë në zgjedhje, me lidership dhe program dhe jo me banda”, përfi Teliti. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb