Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar publikisht heshtjen 12-ditore të kryeministrit Edi Rama pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku shtetasi izraelit Ron Yeffet prezantohet si koordinator i linjave korruptive të pushtetit. Sipas Këlliçit, përgjimet zbardhin një skamje të re inkriminimi ku përfshihen biseda për trafik ndërkombëtar armësh, kontroll mbi tenderat publikë dhe diktim i vendimmarrjes mbi disa ministra të kabinetit qeveritar. Këlliçi nëvizoi se refuzimi i mazhorancës për të lejuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar vjen nga frika e zbardhjes së rrjetit të sekserëve që menaxhojnë fondet dhe projektet strategjike të vendit: “Edi Rama vijon të heshtë 12 ditë pasi u publikua audiopërgjimi nga Arben Ahmetaj ku miku i tij i ngushtë, Ron Yeffet, flet për trafik ndërkombëtar armësh dhe prezantohet si koordinator i punëve të pisëta dhe padron i disa ministrave. Edhe pse ka reaguar duke ndaluar hetimin parlamentar që kërkoi Partia Demokratike, Edi Rama mendon se nuk i detyrohet asnjë sqarim publikut… Hetimi parlamentar do të nxirrte në pah mekanizmin korruptiv e kriminal që ka ngritur Edi Rama me koordinatorët e tij për punët e pisëta, që janë disa: në një sektor Gysi, në disa ministri Roni, dhe së shpejti po vjen edhe Sanieli, që do të jetë koordinatori i shëndetësisë.” Gjatë deklaratës së tij, zyrtari i opozitës u ndal te komunikimet e Yeffet me biznesmenë të huaj, ku ai shmangte procedurat ligjore shtetërore duke shfrytëzuar stafin e Kryeministrisë, si dhe te arsyet pse ekzekutivi po refuzon të distancohet prej tij:
“Mjafton të kujtojmë disa nga qëndrimet e mikut izraelit të Edi Ramës për të kuptuar se çfarë qeverisje kemi. Ai u thotë partnerëve ukrainas se është caktuar nga Kryeministri për të kryer punët e pisëta. U thotë se në dispozicion është ndihmësi i Kryeministrit, Ermal Rraketa, kur punonte në Kryeministri pa u bërë ministër. U thotë se këtu tek ne të mos shqetësohen se nuk ka tendera, bën ai si të dojë me procedurat. U thotë që të mos dërgojnë shkresa zyrtare nëpër ministri, pasi përgjigjet ai. Të gjitha këto janë konfirmuar tanimë edhe nga kompania ukrainase, e cila me anë të avokatit të saj ka pranuar se këto biseda janë bërë, por është distancuar nga Ron Yeffet duke deklaruar se nuk kanë më lidhje me këtë spekullant. Vetëm Edi Rama ende nuk është gati ta bëjë një hap të tillë. Pse? Se ka ende punë për të bërë. Është Aeroporti i Vlorës në lojë.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

