Një 50-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e autoriteteve franceze, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën dhe u sekuestruan 114.6 kilogramë kokainë. Sekuestrimi i drogës u krye në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë një kontrolli në orët e para të mëngjesit.
Sipas mediave franceze, operacioni u zhvillua gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit. Pak pas mesnatës, oficerët e doganës ndaluan për kontroll një kamion me targa italiane, i cili transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar.
Fillimisht, kontrolli ishte rutinë, por gjatë verifikimit të automjetit efektivët zbuluan një ngarkesë të fshehur droge. Kokaina ishte vendosur në mbajtësen e bobinave të kamionit, një pajisje që shërben për stabilizimin e ngarkesës gjatë transportit.
Në total, autoritetet sekuestruan 114.6 kilogramë kokainë. Pas zbulimit, shoferi shqiptar u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore (Ofast) në Marsejë. Më pas, ai u vendos në paraburgim në pritje të daljes para gjykatës.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për drogën. Ai ka pretenduar se kokaina ishte vendosur në kamion pa dijeninë e tij dhe se nuk e dinte që po transportonte lëndë narkotike.
Sipas mediave franceze, shqiptari nuk ka precedentë penalë dhe nuk ka qenë më parë i njohur për drejtësinë franceze.
Ai pritet të përballet me akuza për posedim, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transportimin e mallrave të ndaluara në kundërshtim me legjislacionin doganor. Seanca gjyqësore është parashikuar të zhvillohet më 24 nëntor në Gjykatën e Tarasconit, në kuadër të një procedure të përshpejtuar. Top Channel

