Qytetarët pritet të mblidhen sërish këtë të enjte para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 103-të të protestës kundër qeverisë. Tubimi vjen pas protestës së një dite më parë, e cila solli edhe një ndryshim të mënyrës së organizimit të aksionit.
Gjatë marshimit, qytetarët u ndalën në disa prej kryqëzimeve kryesore të kryeqytetit, ku qëndruan duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Mes pikave ku u zhvillua aksioni ishte kryqëzimi te Rruga e Elbasanit, si dhe ai në drejtim të Sheshit “Skënderbej”. Protestuesit lëvizën nga një zonë në tjetrën, ndërsa marshimi u shoqërua me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje të forta kundër qeverisë. “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin ndër sloganet e përsëritura në rrugët e kryeqytetit. Përpara marshimit, nga podiumi para Kryeministrisë folën aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan vijimin e protestës dhe zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare. Ambientalisti Sazan Guri bëri thirrje që kauza të vendoset mbi ndasitë mes protestuesve. “Kauza është më e rëndësishmja, ajo na mbledh, na organizon dhe na bën të harrojmë zënkat”, deklaroi ai. Mjeku Ermal Pashaj kritikoi qeverinë dhe kërkoi që qytetarët të vazhdojnë reagimin. “Duhet të japim zgjidhje. Është futur dhe përçarje mes nesh. Nuk duhet të ndodhë. Duhet të reagojmë ndaj lakut në fyt që po na vë qeveria”, u shpreh Pashaj.
Gjatë protestës pati edhe mesazhe për zhvillimet e fundit politike dhe deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Aktivistët paralajmëruan vijimin e aksionit dhe deklaruan se protesta do të prodhojë “dinamika të reja”.
Pikërisht marshimi dhe bllokimi i kryqëzimeve shënuan elementin kryesor të protestës së djeshme. Në vend që aksioni të përfnte pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët e zhvendosën atë në rrugët e Tiranës, duke bllokuar përkohësisht disa akse dhe duke vijuar thirrjet kundër qeverisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

