Shkolla e fshatit Eçmenik në bashkinë e Devollit këtë vit nuk do të ketë më zilen e parë të shtatorit. Shkolla do të mbyllet, pasi dy fëmijët e vetëm që janë në fshat do të shkollohen në qytetin e Bilishtit. Një tjetër shkollë fshati mbyllet, duke lënë pas një godinë që nuk do të presë më nxënës. Një banore e fshatit thotë se edhe fëmijët e paktë që kanë mbetur janë detyruar të ndjekin shkollën në Bilisht, ndërsa mungesa e nxënësve e bën të pamundur funksionimin e shkollës. “Një nxënës në kopsht, një shkollë. E çoi e ëma Bilisht, e regjistroi. Vjet ishim 3-4, sivjet nuk ka. Na vjen keq, fëmijët ku do shkojnë? Shkojnë në Bilisht me paratë e tyre. E për një është i detyruar të rrijë mësuesi”, thotë banorja. Një tjetër situatë e ngjashme është edhe në fshatin Fitore, ku shkolla e bashkuar ka rreth 7-8 nxënës. Por këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës në klasën e dhjetë, duke bërë që gjimnazi të mos hapë vitin e parë. Një tjetër fakt i trishtë vjen nga shkolla e bashkuar e fshatit Fitore. Këtu marrin mësim rreth 7-8 fëmijë, ndërkohë që këtë vit nuk ka pasur asnjë regjistrim në klasën e 10-të. Pra, nuk do të kemi hapje të vitit të parë të gjimnazit, çka do të thotë se e ardhmja, shumë shpejt, e kësaj shkolle pritet të jetë mbyllja.” Banorët thonë se të rinjtë po largohen drejt Bilishtit dhe Korçës, ndërsa familjet që kanë mbetur në fshat janë gjithnjë e më të pakta. “Të rinj nuk ka, një pjesë ikin në Bilisht, një pjesë ikin në profesionale në Korçë. I bie të mbyllet. Na vjen keq, gjimnazi ka pasur 200 e ca nxënës. Të rinjtë kanë ikur, fëmijët jashtë, fshat i vogël, por të mëdhenjtë nuk kanë. Nuk ka të rinj”, shprehet një banor tjetër.
