Një prej emrave të rëndësishëm të krimit të organizuar, i shpallur në kërkim nga SPAK për trafik ndërkombëtar narkotikësh, pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal, është në qendër të një skandali të rëndë me përmasa rozë. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se ky personazh, i njohur për jetën luksoze mes Tiranës, Dhërmiut dhe Dubait, ka ngritur një skemë të mirëfilltë përndjekjeje dhe shantazhi ndaj vajzave të njohura të ekranit, modele, ish-misse apo edhe gazetare.
Filmimet kompromentuese janë realizuar kryesisht në ambientet e një hoteli në pronësi të trafikantit në Tiranë (tashmë i sekuestruar), ku hetuesit zbuluan një rrjet kamerash të fshehura të montuara në dhomat e akomodimit pa dijeninë e vizitoreve.
Përveç regjistrimeve të fshehta, dosja hetimore tregon se disa nga vajzat i kishin dërguar vetë materiale intime në shenjë "besimi", por këto të fundit u përdorën për t'u shpërndarë në qarqe të ngushta.
Ndarja e dyshekut me figurat e krimit shpesh shoqëroheh me përfitime financiare që shkonin nga 1,000 deri në 10,000 euro për "respekt".
Bosi i drogës nuk mjaftua me posedimin e materialeve, por dyshohet se përdori metoda sistematike presioni, duke përfshirë telefonata kërcënuese, krijimin e adresave anonime, montazhe denigruese dhe përndjekje fizike e virtuale ndaj viktimave të tij.
Ndërkohë që Policia e Shtetit vijon aksionet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij, SPAK pritet të zgjerojë dosjen penale ndaj tij, duke i shtuar akuzat e reja për shantazh, përndjekje dhe cënim të jetës private.
Megjithëse një pjesë e materialeve po qarkullojnë në rrjete të mbyllura mes personave të afërt të këtij rrethi kriminal, autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht shtrirjen e këtij rrjeti dhe për të mbrojtur personat e prekur nga ky shantazh.
